Posta dhe Policia zgjerojnë marrëveshjen për gjobat në trafik

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Shefqet Avdija dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kanë zgjeruar të hënën fushën e bashkëpunimit mes dy institucioneve, në dobi të qytetarëve të vendit tonë.

Kjo Marrëveshje iu mundëson qytetarëve që dënimet në trafik tash e tutje të kenë mundësi t’i paguajnë, çdo ditë në javë, 24 orë në ditë.

Marrëveshja e zgjeruar mes Postës dhe Policisë përfshin vendosjen e POS-it në vetura policore në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të paguajnë dënimet edhe përmes kartelave bankare.

Përndryshe, të gjitha dënimet për kundërvajtje në trafik mund të kryhen në çdo Zyrë Postare, kudo në Kosovë. Dënimet shlyhen menjëherë nga Sistemi i Policisë.

Kryeshefi Shefqet Avdija ka deklaruar se zgjerimi i bashkëpunimit me Policinë është pjesë e objektivave të Postës së Kosovës që shërbimet t’i ofrojë sa më afër qytetarit dhe ato të jenë sa më kualitative.