Posta e Kosovës është duke ofruar shërbime përmes zyrave postare mobile edhe në fshatrat që janë në karantinë, në Stubëll të Vitisë dhe në Dumnicë të Podujevës.
Për shkak të kufizimit të lëvizjes së banorëve të këtyre dy fshatrave, Posta e Kosovës ka dërguar stafin e saj që të ju ofroj mbushje elektronike dhe kartela rimbushëse për telefona mobilë si dhe shërbime postare në bazë të kërkesave dhe nevojave të tyre.
“Në çdo rrethanë do të jemi pranë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për shërbimet tona, me të gjitha kapacitetet tona”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija.
Ai sot ka vizituar edhe zyrat postare në Klinë dhe Malishevë për të parë nga afër ecurinë e punës në këto dy qytete, po ashtu të vendosura në karantinë. Kryeshefi ka falënderuar punonjësit e Postës që pavarësisht situatës së rënduar në këto vendbanime, ata janë duke kryer të gjitha detyrat me përkushtim të lartë.
Aktualisht, Posta e Kosovës është duke operuar në çdo komunë të Kosovës, me 80 zyra postare, 300 postierë dhe me mbi 250 punonjës të sportelit.