Pulla postare “Heronjtë mantelbardhë”

Sot, Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar, emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare të titulluar, ”Heronjtë mantelbardhë”, në shenjë mirënjohje dhe respekti për të gjithë mantelbardhët që në mbrojtjen e shëndetit publik, punuan pandërprerë duke e sakrifikuar shëndetin  dhe jetën e tyre.

U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi me bashkëpunëtorë të tij, në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë organizoi promovimin e pullës postare, me ç’rast iu dhuroi ekzemplarët e parë të punuar në pllakë bronzi për Ministrin, Armend Zemaj dhe përfaqësueseve të personelit shëndetësorë.

Ky emision i pullës postare ka për qëllim të mbështes mjekët që qëndronin vazhdimisht në vijën e parë për mbrojtjen e shëndetit publik, në parandalimin e pandemisë globale COVID-19.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, në Kosovë jetën e kanë humbur 18 mjekë si pasojë e infektimit me COVID-19, ndërsa nga radhët e personelit shëndetësor kanë humbur jetën 10 punonjës.

Gjatë ushtrimit të detyrës më humane janë infektuar 1204 mjekë, si dhe 1350 infermierë, mami, laborantë dhe punëtorë të tjerë shëndetësor.

Filatelia e Postës së Kosovës, edhe në të ardhmen do të vazhdojë me përkrahjen e të gjitha iniciativave për të mirën e qytetarëve dhe vendit tonë.