Pulla postare “Lojërat Evropiane – Krakow 2023”

Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Lojërat Evropiane-Krakow 2023”, përmes së cilit do t’i përkrah sportistët e Republikës së Kosovës që do të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive evropiane.

Lojërat Evropiane të vitit 2023, do të mbahen në rajonin Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Është hera e tretë që Komiteti Olimpik i Kosovës dërgon sportistë kosovarë në lojërat evropiane, pas Baku 2015 dhe Minsk 2019.

Pamjet e dy pullave postare prezantojnë simbolikisht sportistët kosovarë që do të përfaqësojnë vendin tonë në disa nga disiplinat sportive. Ndërkaq, blloku filatelik me gërshetimin e artefaktit të “Vrapueses së Prizrenit” që daton rreth viteve 520 -500 p.e.s., si dhe njërës nga sallat më të mëdha të lojërave, paraqet prezantimin atraktiv të lashtësisë së kultivimit të atletikës në vendin tonë.

Ky emision i pullave postare do të jetë në qarkullim postar dhe në dispozicion të konsumatorëve deri në konsumin e plotë.

Filatelia e Postës së Kosovës, në vazhdimësi afirmon arritjet e sportistëve tanë, të cilët me talentin e tyre po na bëjnë krenar, duke e lartësuar flamurin e shtetit të Kosovës kudo që po marrin pjesë nëpër botë!