Filatelia e Postës së Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’”.
Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i vendosur 15 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, është një aeroport ndërkombëtar i frekuentuar nga më se 2.0 milionë pasagjerë në vit dhe paraqet portin e vetëm të hyrjes për udhëtarët ajrorë në Kosovë.
Emërtimin e mori në nderim të heroit kombëtar Adem Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pista është ndërtuar në vitin 1965 dhe është shfrytëzuar kryesisht si aeroport ushtarak, ndërsa në vitin 1985 aeroporti është pajisur në përputhshmëri me standardet e ICAO-së. Deri në muajin qershor të vitit 1999, aeroporti ka pasur vetëm trafik të brendshëm, por që nga ajo kohë, ka arritur të krijojë lidhje të rregullta për udhëtarë, si dhe për shkëmbim të mallrave.
Me ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës në Sllatinë në vitin 2013 dhe pas certifikimit me standardet më të larta evropiane në vitin 2018, aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është edhe një urë lidhëse më e afërt e bashkatdhetarëve tanë me atdheun, si dhe mundësi e mirë e transportit ajror për vizitorët e tjerë nga e tërë bota.
Emisioni përbëhet nga një pullë postare dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.