Konsideratat për karantinën e individëve në kontekstin e kontrollit të sëmundjes koronavirus (COVID-19)

Më 30 Janar 2020, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së përcaktoi se shpërthimi i sëmundjes së koronavirusit (COVID-19) përbën një Urgjencë të Shëndetit Publik e Shqetësimit Ndërkombëtare. Ndërsa shpërthimi vazhdon të evoluojë, shtetet anëtare po shqyrtojnë opsionet për të parandaluar futjen e sëmundjes në zona të reja ose për të zvogëluar transmetimin nga njeriu-në-njeri në zonat ku virusi që shkakton COVID-19 tashmë qarkullon.

Masat e shëndetit publik për të arritur këto qëllime mund të përfshijnë karantinë, e cila përfshin kufizimin e lëvizjes, ose ndarja nga pjesa tjetër e popullsisë, e personave të shëndetshëm të cilët mund të jenë ekspozuar ndaj virusit, me objektivin monitorimin e simptomave të tyre dhe sigurimin e zbulimit të hershëm të rasteve. Shumë vende kanë autoritetin ligjor të imponojnë karantinë. Karantina duhet të zbatohet vetëm si pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të masave të reagimit dhe kontrollit të shëndetit publik dhe, në përputhje me nenin 3 të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (2005), të jetë plotësisht respektues i dinjitetit, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të personave.

Qëllimi i këtij dokumenti është të ofrojë udhëzime për Shtetet Anëtare për zbatimin e masave të karantinës për individët në kontekstin e shpërthimit aktual COVID-19. Është i destinuar për ata që janë përgjegjës për krijimin e politikave lokale ose kombëtare për karantinën e individëve dhe për të siguruar respektimin e masave të Parandalimit dhe Kontrollit të Infeksionit PKI (ang. Infection prevention and control, IPC).

Ky dokument informohet nga njohuritë aktuale për shpërthimin e COVID-19 dhe nga konsideratat e ndërmarra në përgjigje të patogjenëve të tjerë të frymëmarrjes, përfshirë koronavirusin e sindromës së rëndë të frymëmarrjes akute (SARS-CoV), Sindromën e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS) -Cov dhe viruset e gripit . OBSH do të vazhdojë të azhurnojë këto rekomandime pasi informacioni i ri bëhet i disponueshëm.

Karantina e personave

Karantina e personave është kufizimi i veprimtarive ose ndarja e personave që nuk janë të sëmurë, por që mund të jenë të ekspozuar ndaj një agjenti infektiv ose sëmundje, me qëllim monitorimin e simptomave të tyre dhe sigurimin e zbulimit të hershëm të rasteve. Karantina është e ndryshme nga izolimi, që është ndarja e personave të sëmurë ose të infektuar nga të tjerët për të parandaluar përhapjen e infeksionit ose ndotjes.

Karantina përfshihet në kornizën ligjore të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit (2005), në mënyrë specifike:

· Neni 30 – Udhëtarët nën vëzhgimin e shëndetit publik;

· Neni 31 – Masat shëndetësore në lidhje me hyrjen e udhëtarëve;

· Neni 32 – Trajtimi i udhëtarëve

Shtetet Anëtare, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, kanë të drejtën sovrane për të ligjësuar dhe për të zbatuar legjislacionin, në ndjekje të politikave të tyre shëndetësore, edhe nëse kjo përfshin kufizimin e lëvizjes së individëve. Para zbatimit të karantinës, vendet duhet të komunikojnë siç duhet masa të tilla për të zvogëluar panikun dhe për të përmirësuar pajtueshmërinë.

· Autoritetet duhet t’u sigurojnë njerëzve udhëzime të qarta, të azhurnuara, transparente dhe konsistente dhe informacion të besueshëm në lidhje me masat e karantinës.

· Angazhimi konstruktiv me komunitetet është thelbësor nëse duhen pranuar masa karantine.

· Personat që janë në karantinë duhet të pajisen me kujdes shëndetësor; mbështetje financiare, sociale dhe psikosociale; dhe nevojat themelore, përfshirë ushqimin, ujin dhe sendet e tjera thelbësore. Nevojat e popullatës së prekshme duhet të përcaktohen me përparësi.

· Faktorët kulturorë, gjeografikë dhe ekonomikë ndikojnë në efektivitetin e karantinës. Vlerësimi i shpejtë i kontekstit lokal duhet të vlerësojë nxitësit e suksesit dhe pengesat e mundshme për karantinë, dhe ato duhet të përdoren për të informuar planet për masat më të përshtatshme dhe të pranuara nga aspekti kulturor.

Kur të përdoret karantina

Futja e masave të karantinës në fillim të një shpërthimi mund të vonojë futjen e sëmundjes në një vend ose zonë ose mund të vonojë kulmin e një epidemie në një zonë ku transmetimi lokal po vazhdon, ose që të dyja bashkë . Sidoqoftë, nëse nuk zbatohet siç duhet, karantina gjithashtu mund të krijojë burime shtesë të kontaminimit dhe përhapjes së sëmundjes.

Në kontekstin e shpërthimit aktual të COVID-19, strategjia globale e kontrollit përfshin identifikimin e shpejtë të rasteve të konfirmuara nga laboratori dhe izolimin dhe menaxhimin e tyre qoftë në një hapësirë mjekësore, qoftë në shtëpi.

OBSH rekomandon që kontaktet e pacientëve me laborator të konfirmuar me COVID-19 të karantinohen për 14 ditë nga koha e fundit që ata i ekspozohen pacientit.

Për qëllim të zbatimit të karantinës, një kontakt është një person i cili është i përfshirë në ndonjë nga sa vijon nga 2 ditë para dhe deri në 14 ditë pas fillimit të simptomave në pacient nëse:

· Kanë kontakte ballë-për-ballë me një pacient me COVID-19 brenda 1 metri dhe për më shumë se > 15 minuta;

· Kanë ofruar kujdes të drejtpërdrejtë për pacientët me sëmundjen COVID-19 pa përdorur pajisje të duhura mbrojtëse personale;

· Kanë qëndruar në të njëjtin mjedis të ngushtë me pacientin me COVID-19 (përfshirë ndarjen e një vendi pune, klasë ose shtëpi ose kanë qenë në të njëjtën mbledhje) për çfarëdo sasie kohe.

· Kanë udhëtuar në afërsi me (d.m.th., brenda 1 m ndarje nga) një pacient me COVID-19 në çfarëdo lloj bartjeje/transportimi;

· dhe situata të tjera, siç tregohet nga vlerësimet e rrezikut lokal.

Rekomandime për zbatimin e karantinës

Nëse merret një vendim për zbatimin e karantinës, autoritetet duhet të sigurojnë që:

· përcaktimi i vendit të karantinës është i përshtatshëm dhe se masat adekuate të ushqimit, ujit dhe higjienës mund të bëhen për periudhën e karantinës;

· masat minimale të PKI mund të zbatohen;

· kërkesat minimale për monitorimin e shëndetit të personave të karantinuar mund të përmbushen gjatë periudhës së karantinës.

Sigurimi i një vendi të përshtatshëm dhe rezervat adekuate

Zbatimi i karantinës nënkupton përdorimin ose krijimin e hapësirave të përshtatshme në të cilat një person ose persona janë të ndarë fizikisht nga komuniteti ndërsa vazhdon kujdesi për ta.

Marrëveshjet e përshtatshme për karantinë përfshijnë masat e mëposhtme:

· Ata që janë në karantinë duhet të vendosen në dhoma teke të gjera,suit të ajrosura në mënyrë adekuate, me pajisje në dhomë (d.m.th., higjiena e duarve dhe të pajisura me tualet). Nëse dhomat e vetme nuk janë në dispozicion, shtretërit duhet të vendosen së paku 1 metër larg.

· Duhet të përdoren kontrolle të përshtatshme të infeksionit mjedisor, siç janë sigurimi i ajrosjes adekuate, sistemet e filtrimit të ajrit dhe protokolet e administrimit të mbeturinave.

· Distanca sociale duhet të ruhet (d.m.th. Distanca prej së paku 1 metër) midis të gjithë personave që janë në karantinë. Akomodimi duhet të sigurojë një nivel të përshtatshëm të rehatisë, përfshirë:

– furnizimi i lehtësirave të ushqimit, ujit dhe higjienës;

– mbrojtje për bagazhet dhe posedimet e tjera;

– trajtimin e duhur mjekësor për gjendjet ekzistuese;

– komunikimi në një gjuhë që ata që janë në karantinë mund ta kuptojnë, me një shpjegim të të drejtave të tyre, shërbime që do të vihen në dispozicion, për sa kohë do të duhet të qëndrojnë dhe çfarë do të ndodhë nëse sëmuren; për më tepër, informacioni i kontaktit lokal për ambasadën e tyre ose mbështetjen konsullore duhet të sigurohet.

· Ndihma mjekësore duhet të ofrohet për udhëtarët e karantinuar të cilët janë të izoluar ose i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore ose procedurave të tjera për qëllime të shëndetit publik.

· Ata që janë në karantinë duhet të jenë në gjendje të komunikojnë me familjarët që janë jashtë objektit të karantinës.

· Nëse është e mundur, duhet të ofrohet qasje në internet, lajme dhe argëtim.

· Mbështetja psikosociale duhet të jetë në dispozicion.

· Personat e moshuar dhe ata me gjendje comorbide (që kanë dy sëmundje ose gjendje kronike njëkohësisht) kërkojnë vëmendje të veçantë për shkak të rrezikut të tyre të shtuar për COVID-19 të rënda.

Vendet e mundshme për karantinë përfshijnë hotele, konvikte, objekte të tjera që shërbejnë për furnizim me ushqim të grupeve (mensat etj.) ose shtëpinë e kontaktit. Pavarësisht nga vendi, një vlerësim duhet të sigurojë që kushtet e duhura për karantinë të sigurt dhe efektive janë duke u përmbushur.

Kur shtëpia zgjidhet si vend karantine, personi duhet të zërë një dhomë të vetme të ventiluar mirë, ose nëse një dhomë e vetme nuk është në dispozicion, të mbajë një distancë prej të paktën 1 metër nga anëtarët e tjerë të familjes, të minimizojë përdorimin e hapësirave dhe takëmeve (pajisjeve, elementeve) të përbashkëta, dhe të sigurojë që hapësirat e përbashkëta (të tilla si kuzhina dhe banjo) janë të ajrosura mirë.

Masat minimale të parandalimit dhe infeksionit

Masat e mëposhtme të PKI-së duhet të përdoren për të siguruar një mjedis të sigurt për personat e karantinuar.

1. Njohja dhe kontrolli i hershëm

Çdo person në karantinë që zhvillon sëmundje me temperaturë ose simptoma të frymëmarrjes në çdo kohë gjatë periudhës së karantinës duhet të trajtohet dhe menaxhohet si një rast i dyshuar i COVID-19.

Masat paraprake standarde vlejnë për të gjithë personat që janë në karantinë dhe personelin në karantinë:

– Mbani higjiene të shpeshtë të duarve, veçanërisht pas kontaktit me sekrecionet e frymëmarrjes, para se të hani, dhe pas përdorimit të tualetit. Higjiena e duarve përfshin qoftë pastrimin e duarve me sapun dhe ujë qoftë me fërkimin e duarve me bazë alkooli. Fërkimet e duarve të bazuara në alkool preferohen nëse duart nuk janë dukshëm të ndyra; duart duhet të lahen me sapun dhe ujë kur ato dukshëm janë të ndotura.

– Sigurohuni që të gjithë personat në karantinë janë duke praktikuar higjienën e frymëmarrjes dhe janë të vetëdijshëm për rëndësinë e mbulimit të hundës dhe

gojës me bërryl të kërrusur ose facoletë kur kolliten ose teshtijnë dhe më pas largojnë menjëherë facoletën në një shportë mbeturinash me kapak dhe më pas kryejnë higjienën e duarve.

– Shmangin prekjen e syve, hundës dhe gojës.

· Një maskë mjekësore nuk kërkohet për personat pa simptoma. Nuk ka asnjë provë që mbajtja e një maske të çdo lloji mbron njerëzit që nuk janë të sëmurë.

2. Kontrollet administrative

Kontrollet administrative dhe politikat për PKI-në në objektet e karantinës përfshijnë, por nuk mund të kufizohen në:

· krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme PKI (për shembull, duke krijuar objekte të përshtatshme) dhe aktivitete;

· edukimin e personave që janë në karantinë dhe personelin e karantinës për masat e PKI-së. I gjithë personeli që punon në objektin e karantinës duhet të ketë trajnime për masat paraprake standarde përpara se të zbatohen masat e karantinës. Të njëjtat këshilla për masat paraprake standarde duhet t’u jepen të gjithë personave të karantinuar pas mbërritjes. Si personeli ashtu edhe personat e karantinuar duhet të kuptojnë rëndësinë e kërkimit të shpejtë të kujdesit mjekësor nëse ata shfaqin simptoma;

· hartimie e politikave për të siguruar njohjen e hershme dhe referimin e një rasti të dyshuar COVID-19.

3. Kontrollet mjedisore

Procedurat e pastrimit dhe dezinfektimit të mjedisit duhet të ndiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe korrekte. Personeli i pastrimit është e nevojshme që të edukohet për COVID-19 dhe të mbrohet gjithashtu, si dhe të sigurojë se sipërfaqet janë të pastruara në rregullisht dhe plotësisht gjatë gjithë periudhës së karantinës.

· Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet e prekura shpesh – të tilla si tavolinat afër shtratit, kornizat e shtretërve dhe mobiliet e tjera të dhomës së gjumit – çdo ditë me dezinfektues të rregullt shtëpiak që përmban një lëng të holluar me zbardhues (domethënë me zbardhues 1 pjesë në 99 pjesë ujë). Për sipërfaqet që nuk mund të pastrohen me zbardhues, mund të përdoret 70% etanol një përzierje e lëngshme në të cilën përbërësi (tretësi) shpërndahet në mënyrë uniforme brenda përbërësit kryesor.

· Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet e banjës dhe tualetit të paktën një herë në ditë me dezinfektues të rregullt shtëpiak që përmban një lëng të holluar me zbardhues (domethënë me 1 pjesë zbardhues në 99 pjesë ujë).

· Pastroni rrobat, mbulesat e krevatit dhe peshqirët e banjës dhe të duarve duke përdorur ujë dhe sapun të rregullt për larjen e rrobave ose rrobalarëse në 60-90 ° C (140–194 ° F) me larës të zakonshëm të rrobave dhe thajini ato tërësisht.

· Vendet duhet të marrin në konsideratë zbatimin e masave për të siguruar që mbeturinat depozitohen në një deponi sanitare dhe jo në një zonë të hapur të pa monitoruar.

· Personeli i pastrimit duhet të ketë doreza të flakshme/një përdorim kur pastron sipërfaqe ose trajtojnë rroba ose ndërresa të ndotura me lëngje trupi, dhe ata duhet të kryejnë higjienën e duarve para se të vendosin dhe pasi të heqin dorezat.

Kërkesat minimale për monitorimin e shëndetit të personave të karantinuar

Përcjellja e përditshme e personave që janë në karantinë duhet të bëhet brenda objektit për kohëzgjatjen e periudhës së karantinës dhe duhet të përfshijë kontrollimin për temperaturën e trupit dhe simptomat. Grupet e personave në rrezik më të madh të infeksionit dhe sëmundjes së rëndë mund të kërkojnë mbikëqyrje shtesë për shkak të kushteve kronike ose mund të kërkojnë trajtime specifike mjekësore.

Duhet të merren parasysh burimet dhe personeli i nevojshëm dhe periudhat e pushimit për stafin në objektet e karantinës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e një shpërthimi të vazhdueshëm, gjatë së cilës burimet e kufizuara të shëndetit publik mund të kenë prioritet më të mirë për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe aktivitetet e zbulimit- të-rasteve.

Mostrat e frymëmarrjes nga personat e karantinuar, pavarësisht nëse kanë simptoma, duhet të dërgohen për testime laboratorike në fund të periudhës së karantinës.

© World Health Organization 2020 – OBSH vazhdon të monitorojë nga afër situatën për çdo ndryshim që mund të ndikojë në këtë udhëzim të përkohshëm. Nëse ndonjë faktor ndryshon, OBSH do të lëshojë një azhurnim të mëtejshëm. Përndryshe, ky dokument i përkohshëm udhëzues do të skadojë 2 vjet pas datës së publikimit.

 

Udhëzim i përkohshëm

19 Mars 2020 OBSH