Kryeministri në detyrë, Albin Kurti vizitoi Postën e Kosovës

Sot Postën e Kosovës e vizitoi Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari. Ata u mirëpritën nga Kryesuesi i ri i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, Mentor Arifaj dhe u.d. Kryeshefi ekzekutiv, Salih Morina me anëtarët tjerë të Bordit dhe Menaxhmentit të ndërmarrjes.

Kryesuesi Arifaj dhe u.d.Kryeshefi Morina, në fjalimet e tyre i shprehën mirëseardhje në Postën e Kosovës Kryeministrit në detyrë, z.Kurti dhe Ministrës, znj.Hajdari, të cilët i informuan me gjendjen dhe kapacitetet e ndërmarrjes dhe se si ajo është duke iu përshtatur vazhdimisht kërkesave të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve edhe në kohë pandemie. Ndërsa kërkuan mbështetje nga Qeveria, duke propozuar ofrimin e shërbimeve të veçanta shtesë institucioneve qeverisëse lokale dhe qendrore.

U.d.Kryeshefi, Salih Morina njoftoi Kryeministrin në detyrë, rreth aktiviteteve të Postës së Kosovës edhe në këtë kohë pandemie. Kemi qendruar afër nevojave dhe kërkesave të qytetarëve çdo ditë pune në secilën komunë. ndërsa këto ditë kemi zgjatur oraret e shërbimit në zyrat kujdestare në shtatë qytetet e regjioneve të Republikës së Kosovës, duke iu përshtatur orarit të lëvizjes së qytetarëve sipas vendimeve të Qeverisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se Posta është një institucion shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe sigurisë nacionale. Ai shprehi interesimin për të vendosur themelet e një bashkëpunimit edhe më të afërt në mes Postës dhe Qeverisë. Posta, e cila që nga vitit 2012 vazhdon të shënojë humbje vjetore nga viti në vit, ka nevojë për një strategji të qartë për t’u rimëkëmbur.

Z.Kurti tha se, Posta duhet të përgatitet që fillimisht të përfitojë nga Pakoja Emergjente Fiskale, e hartuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve, si dhe më pas edhe nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e cila do të hartohet shumë shpejt, në mënyrë që bashkë me rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë të rimëkëmbet edhe Posta. Që një gjë e tillë të ndodh, përgatitja duhet të filloj që sot.

Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti dhe ministrja në detyrë Hajdari i uruan Bordit të përkohshëm të Drejtorëve dhe Menaxhmentit Ekzekutiv punë të mbarë.