Dërgesat postare të porositura, “R”

Letrat e porositura rekomande (“R”) – janë letrat që nga dërguesi, përmes një takse të posaçme dhe etiketës “Rekomande” me numër përkatës, iu sigurohet trajtim i veçantë përmes regjistrimit, që nga pranimi, përcjellja për në destinacion e deri te dorëzimi, përmes nënshkrimit të marrësit të caktuar.

Dërgesat gjyqësore kundërvajtëse dhe administrative

Letrat gjyqësore, kundërvajtëse dhe administrative – janë letërdërgesat gjyqësore, kundërvajtëse dhe administrative – që përcillen përmes zarfeve të kaltër apo të bardhë me fletëkthesën e ngjitur për zarfë (formularë që përdoren nga këto institucione dhe për kërkesat e tyre).

Dërgesat postare ekspres, “EXPRESS” ose “EKSPRES”

Shërbimi urgjent “Express” – mund të zbatohet te çdo lloj dërgese, duke u siguruar atyre përparësi krahasuar me dërgesat e rëndomta.

Dërgesat postare me vlerë të deklaruar, “VD”

Dërgesat me vlerë të deklaruar “VD” – janë dërgesat, për të cilat deklarohet vlera e dërgesës sipas mënyrës së paraparë me rregulloren e shërbimeve postare. Dërgesat me vlerë të deklaruar duhet të futen në zarf apo në ambalazh të përshtatshëm (i patejdukshëm) që ta sigurojë përmbajtjen nga dëmtimet eventuale gjatë transportit dhe përpunimit.
Mbi dërgesën postare me vlerë të deklaruar, në shërbimin e brendshëm përdoren  etiketat vetëngjitëse siguruese postare “V” (vlera e deklaruar), që përmban emrin e zyrës  pranuese dhe numrin e  dërgesës postare me vlerë të deklaruar, si dhe peshën e saktë në gram të vendosur në anën e majtë të sipërme të faqes së adresës së marrësit.
Shuma e vlerës së deklaruar për letra e dokumente që përfaqësojnë një vlerë për shkak të ribërjes së tyre nuk mund të tejkalojë shpenzimet eventuale të këtyre dokumenteve në rast humbjeje. Përmbajtja e letrës me vlerë duhet t’i përgjigjet vlerës reale të deklaruar.
Dërgesat me vlerë të deklaruar duhet ta kenë vlerën prej së paku 10 euro dhe jo më shumë se 1000 euro.

Dërgesat postare me kundërpagesë, “KD”

Paraqesin dërgesat me shërbim të posaçëm, për të cilat marrësi, me rastin e tërheqjes së dërgesës nga zyrat postare, obligohet ta paguajë shumën e ngarkuar në dobi të dërguesit. Vlera e deklaruar duhet detyrimisht t’i përgjigjet vlerës reale të dërgesës.
Pasojat e mos deklarimit të vlerës reale janë përgjegjësi e dërguesit.
Kur dërguesi kërkon që kundërpagesa t’i kalohet në llogarinë e tij bankare të plotësuar , ai është i detyruar të deklarojë xhirollogarinë dhe bankën përkatëse . Tarifat e pranimit të dërgesës postare me kundërpagesë arkëtohen nga marrësit e dërgesave.
Dërgesave me këtë shërbim duhet t’iu vihet etiketa me shenjën e kundërpagesës “KP”.

Dërgesat me lajmërim marrje “L M” dhe me fletkthim “A.R”

Dërgesat me lajmërim marrje “L M” në trafikun vendor dhe ‘’A.R’’ në trafikun ndërkombëtar – konsiderohen ato dërgesa, që përcillen nga personat fizikë apo subjektet juridike në zarfe të ndryshme me fletëkthimin e bashkangjitur, që dërguesi e merr dhe e plotëson në zyrën postare, meqë përmes fletëkthimit në fjalë ai njoftohet që dërgesa i është dorëzuar marrësit.

Dërgesat që ruhen në postë “POSTË RESTANTE”

Dërgesat që ruhen në postë “POSTË RESTANTE” (qëndrojnë në Postë në afat prej 30 ditësh ) – duhet të kenë të shënuar në anën e përparme dhe me shkronja të dukshme shënimin “Qëndron në Postë” ose “Poste Restante”. Marrësit e këtyre dërgesave duhet të jenë që më parë të njoftuar nga dërguesit, në mënyrë që të paraqiten në Postë (“Poste restante”) për të parë se a iu ka mbërri dërgesa e tillë. Dërgesa postare me shënimin ,,Poste restante” ose “Qëndron në Postë” i dorëzohet marrësit pasi të bëhet verifikimi i identitetit të tij.
Kur dërgesa postare nuk tërhiqet brenda këtij afati, ajo i kthehet dërguesit. Si dërgesa “Poste restante” nuk mund të pranohen dërgesat urgjente (Express).

Dërgesat postare për tu dorëzuar në dorë të vet

Dërgesat postare që kërkohen nga dërguesi për tu dorëzuar në dorë të vet marrësit mund të jenë dërgesat postare të porositura, me vlerë të deklaruar ose me kundërpagesë.

Dërgesat EMS

Shërbimi i postës së shpejtë EMS (Express Mail Service), është shërbimi më i shpejtë prej të gjitha shërbimeve postare, që nënkupton grumbullim, përpunim, bartje dhe shpërndarje të shpejtë të postës së letrave dhe kolipostës deri 20 kg në komunikacionin vendor dhe  ndërkombëtar në afate shumë të shpejta kohore. Është shërbim i cili realizohet në çdo sportel të PK dhe në saje të kontratës së veçantë me dërguesin, që siguron cilësi të lartë në shpejtësinë dhe sigurinë e dërgimit të dërgesave.

Koha e kryerjes së shërbimit për shtetet fqinje dhe Evropë D+2 deri 4 ditë, ndërsa jashtë Evropës D+5 deri 7 ditë.

Zona e largësive

Europa- këmbim direkt (mbyllur);

Europa – këmbim i hapur përmes Austrisë;

Shtetet tjera të botës – këmbim i hapur përmes Austrisë dhe i mbyllur (direkt) me shtetet:

Zvicër,Norvegji,Suedi,Finlandë dhe Irlandë;

Kanada Amerika dhe Rusia.

Detaje të hollësishme për shërbimin “EMS”:

  • Dërgesat EMS do të pranohen për mallra dhe dokumente, pesha më madhe nuk guxon të kalojë 20kg.
  • Kjo cmimore përkufizon çmimin e shteteve në 30 për të cilat mund të pranojmë dërgesa EMS.
  • Do te kemi qasje në sistemin TRACK &TRACE për gjurmim direkt të dërgesave tona.
  • Kompensimi për një dërgesë të humbur i cili i bëhet palës është i definuar nga Korporata  e EMS e i cili është 30 SDR plus taksa e paguar për shërbim, të cilin kompensim do ta bëjë gjithmonë posta e origjinës pa marrë parasysh kush e humb apo dëmton dërgesën.
  • Mallrat e ndaluara janë të përcaktuara me rregulloren e UPU.
  • Mallrat  specifike si p.sh. mostra të ndryshme për laboratorë duhet te pajisen me një leje speciale te ministrisë përkatëse në gjuhen angleze dhe ti bashkëngjiten dërgesave EMS.
  • Të  gjitha dërgesat EMS duhet te pajisen me deklaratë Doganore:Deri në 2kg me  CN22 per dokumente dhe me CN23  per mallra te cilat kategorikisht duhet të plotësohen në gjuhen angleze për përmbajtjen e tyre.
  • Dimensionet e dërgesave EMS janë të njëjta me dimensionet e letër dërgesave tjera.
  • Dimensionet nuk guxojnë të jenë më të vogla se 9cmx14cm.
  • Për koli postë vlejnë po ashtu dimensionet standarde.
  • Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me formulimin e doganës, doganën si dhe detyrime tjera mbulohen nga klientët.
  • Pesha maksimale për dërgesat EMS:
  1. 0-2 kg për dërgesat që përmbajnë dokumente.
  2. 0-20 kg për dërgesat që përmbajnë mallra.

 

Paketimi special

Dërgesat EMS varësisht nga  nevoja apo përmbajtja duhet të kenë paketim special për gjërat e caktuara dhe aq sa të jetë e mundur të sigurojnë që:

  • Artikujt nga qelqi apo artikuj tjerë të thyeshëm duhet të paketohen në kuti të fortë të mbushur me material mbrojtës, në këtë mënyrë do të parandalohet çdo fërkim apo përplasje qoftë midis objekteve vetë ose ndërmjet objekteve dhe anëve të kutisë.
  • Lëngjet dhe substancat të cilat lehtë lëngëzohen duhet të mbyllen në kontejnerë që nuk rrjedhin. Çdo enë duhet të vendoset në një kuti të veçantë që përmban një material të fortë të përshtatshëm mbrojtës për të absorbuar lëngjet në rast të thyerjes eventuale. Kapaku i kutisë, duhet të fiksohet mirë në mënyrë që ai mos të hapet rastësisht.
  • Substancat yndyrore të cilat nuk lëngëzohen lehtë si kremat, sapunët etj. duhet të mbyllen në një shtresë të parë të paketimit (kuti leckë apo qese plastike etj) mandej në kuti të fortë  për të parandaluar rrjedhjen e përmbajtjes.
  • Pluhurat e thatë me ngjyrë duhet të mbyllen në kontejnerë që nuk rrjedhin dhe në mes të kutisë dhe kontenierit duhet vendoset material i përshtatshëm absorbues dhe mbrojtës.
  • Pluhurat e thatë pa ngjyrë duhet të mbyllen në një enë të fortë (kuti,qese) e cila duhet të fiksohet mirë në mënyrë që të mos hapet rastësisht.
  • Paketimi special nuk kërkohet për artikujt në një pjesë si pjesët e drurit, metalit etj. të cilat nuk janë të zakonshme ne treg. Në këtë rast adresa e marrësit shënohet në vetë artikullin.

 

Ndalesat në lidhje me përmbajtjen e dërgesave

Dërgesat trajtohen në përputhje me Ligjin për shërbime Postare Nr. 06/L-038, Rregulloren për Autorizimin e përgjithshëm për Ofrimin e shërbimeve Postare Nr.41 me Nr. protokolli  041/B/19 dhe Rregulloren për Ofrimin e shërbimit Postar Nr.44 me Nr. protokolli  123/B/2019.