Dërgesat postare te porositura, “R”

Letrat e porositura rekomande (“R”) – janë letrat që nga dërguesi, përmes një taksë të posaçme dhe etiketës “Rekomande” me numër përkatës, u sigurohet trajtim i veçantë përmes regjistrimit, që nga pranimi, përcjellja për në destinacion e deri te dorëzimi përmes nënshkrimit të marrësit të caktuar.

Dërgesat gjyqësore kundërvajtëse dhe administrative

Letrat gjyqësore, kundërvajtëse dhe administrative – janë letërdërgesat gjyqësore, kundravajtëse dhe administrative – që përcillen përmes zarfëve të kaltërta apo të bardha më fletëkthesën e ngjitur për zarf (formularë që përdoren vetëm nga këto  institucione dhe për kërkesat e tyre).

Dërgesat postare ekspres, “EXPRESS” ose “EKSPRES”

Shërbimi urgjent “Express” – mund të zbatohet te çdo lloj dërgese, duke u siguruar atyre përparësi krahasuar me dërgesat e rëndomta.

Dërgesat postare me vlerë të deklaruar, “VD”

Dërgesat me vlerë të deklaruar “VD” – janë dërgesat për të cilat deklarohet vlera e dërgesës sipas mënyrës së paraparë me rregulloren e shërbimeve postare. Dërgesat me vlerë të deklaruar duhet të futen në zarf apo në ambalazh të përshtatshëm (i patejdukshëm) që ta siguroj përmbajtjen nga dëmtimet eventuale gjatë transportit dhe përpunimit.
Mbi dërgesën postare me vlerë të deklaruar, në shërbimin e brendshëm përdoren  etiketat vetëngjitëse siguruese postare “V” (vlera e deklaruar), që përmban emrin e zyrës  pranuese dhe numrin e  dërgesës postar me vlerë të deklaruar si dhe peshën e saktë në gram të vendosur në anën e majtë të sipërme të faqes së adresës së marrësit.
Shuma e vlerës së deklaruar për letra e dokumente që përfaqësojnë një vlerë për shkak të ribërjes së tyre nuk mund të tejkalojë shpenzimet eventuale të këtyre dokumenteve në rast humbjeje. Përmbajtja e letrës me vlerë duhet ti përgjigjet vlerës reale të deklaruar.
Dërgesat me vlerë te deklaruar duhet ta kenë vlerën prej së paku 10 euro dhe jo më shumë se 1000 euro.

Dërgesat postare me kundërpagesë, “KD”

Paraqesin dërgesat me shërbim të posaçëm për te cilat marrësi me rastin e tërheqjes së dërgesës nga zyrat postare obligohet ta paguaj shumën e ngarkuar në dobi të dërguesit. Vlera e deklaruar duhet detyrimisht ti përgjigjet vlerës reale të dërgesës.
Pasojat e mos deklarimit të vlerës reale janë përgjegjësi e dërguesit.
Kur dërguesi kërkon që kundërpagesa ti kalohet në llogarinë e tij bankare të plotësuar , ai është i detyruar të deklarojë xhirollogarinë dhe bankën përkatëse . Tarifat e pranimit të dërgesës postare me kundërpagesë arkëtohen nga marrësit e dërgesave.
Dërgesat me ketë shërbim duhet ti vihet etiketa me shenjën Kundërpagesa “KP”

Dërgesat postare me lajmërim marrje “AR”

Dërgesat me lajmërim marrje “AR” – konsiderohen ato letërdërgesa, që përcillen nga personat fizikë apo subjektet juridike në zarfe të ndryshme me fletëkthimin e bashkangjitur, që dërguesi e merr dhe plotëson në zyrën postare, meqë përmes fletëkthimit në fjalë të njoftohet për dorëzimin e dërgesës marrësit.

Dërgesat “POSTE RESTANTE” ose “QENDRON NE POSTE”

Dërgesat që ruhen në postë “POSTË RESTANTE” (ose që qëndrojnë në postë) – duhet të kenë të shënuar në anën e përparme dhe me shkronja të dukshme shënimin “Qëndron në postë” ose “Poste Restante”.
Marrësit e këtyre dërgesave duhet të jenë që më parë të njoftuar nga dërguesit në mënyrë që të paraqiten në postë (“Postë restante”) për të parë se a u ka mbërri dërgesa e tillë. Dërgesa postare me shënimin ,,Poste restante” ose “Qëndron në postë” i dorëzohet marrësit pasi të bëhet verifikimi i identitetit të tij.
Kur dërgesa postare nuk tërhiqet brenda këtij afati ajo i kthehet dërguesit. Si dërgesa post restant nuk mund të pranohen dërgesat urgjente (Express).

Dërgesat postare për tu dorëzuar në dorë të vet

Dërgesat postare që kërkohen nga dërguesi për tu dorëzuar në dorë të vetë marrësit mund të jene dërgesat postare të porositura, me vlerë të deklarua ose me kundërpagesë.

Dërgesat EMS

Shërbimi i postës së shpejtë EMS – mundëson arritjen e dërgesave postare me shpejtësi dhe siguri maksimale te marrësi. Kjo shpejtësi, brenda vendit tonë, sillet prej 2-5 orë, varësisht nga destinacioni.
Për ta shfrytëzuar këtë shërbim (EMS) në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj apo Prizren, i vetmi veprim që ju duhet të bëni, është ta zgjidhni kodin telefonik të qytetit në fjalë, dhe pastaj numrin telefonik 966.
Ndërkaq, për qytetin e Pejës dhe atë të Gjakovës, përveç kodit telefonik, duhet të shërbeheni edhe me numrin e telefonit për shërbimin e postës së shpejtë EMS, për këto dy qytete – që është 96.